“Muzika e keqe”

Tiranë, Prishtinë, Shkup

Muzika muzika muzika! Heh!
Sërish muzika. Mirremi non-stop me këtë temë, e diskutojmë, e dëgjojmë, e pëlqejmë, e urrejmë, e shajmë, e çka tjetër.
Nuk është se vetëm ne shqiptarët, ballkanasit e bëjmë këtë. Ndodh kudo. Muzika ka ndikimin e saj në jetën e njeriut, qoftë në përditshmërinë e tij, në raport me grupin, rrethin por edhe me ndërdijen e tij.
Kur njeriu dëgjon muzikë të mirë shpërqëndrohet nga ajo gjë që është duke bërë. Qoftë edhe për disa sekonda. Kjo e ndihmon atë, e inkurajon dhe e mbush me energji të re për ta përmbyllur punën apo edhe për t’u ndjerë mirë për pak çaste. E me muzikën e keqe nuk ndodh kështu. Po ç’është muzika e keqe?
A ekziston si nocion në radhë parë? Apo është vetëm një stereotip i krijuar nga një shtresë e caktuar e shoqërisë e cila thirret në nivelet e saja më emancipuese dhe më superiore ndaj pjesës tjetër së popullatës e cila për hir të vërtetës përbën grupimin më të madh.
A ka ekzistuar gjithmonë muzika e keqe? Kur filloi të cilësohej si muzikë potencialisht e keqe apo e mire?
Për Ballkanin si rajon një gjë është e sigurt. Ka pasur grupe muzikore të ndryshme me nivele artistike cilësore por edhe të diskutueshme. Përderisa muzika e grupimeve etnike më të vogla si ajo rome apo turke është cilësuar më shumë si ekzotike sesa domosdoshmërisht si një muzikë e keqe. Njerëzit që kanë dëgjuar këtë lloj muzike apo mediat e kohës i kanë dhënë respektin dhe hapësirën e merituar mediale. Sigurisht që secili shtet ka pasur ngjyrimet e veta sa i përket promovimit të të drejtave të minoriteteve, por kjo nuk është varur nga niveli artisitik e kulturor i muzikës, artit të tyre, por ka qenë drejtpërdrejt e varur nga politikat e përgjitshme kundrejt atij grupi etnik.
Tani që komunizmi e socializmi ikën doli që asnjëri sistem të mos e ketë emancipuar sa duhet rajonin.
Njerëzit që bëjnë art, muzikë, me ardhjen e demokracisë sikur u munduan të thyejnë tabutë e kahershme (që nuk kanë ekzistuar në të vërtetë), se çdo tingull, çdo melodi, çdo instrument mund të shkrihet në kulturat e ndryshme ballkanike.
Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë ndodhi, se çfarë dëgjuan veshët tanë. Se cilësia e krijimeve ishte aspak mbresëlënëse dhe shumë neveritëse. Për më keq ajo krijimtari vazhdon të jetë e njëjtë, me shumë pak risi dhe shpresë se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.
Në fakt muzikantët e sotëm shqiptarë duhet ta dijnë një gjë. Ata jo që po e cënojnë muzikën shqipe nga elementet e kulturës rome, sllave apo turke, por po i ofendojnë rëndë pikërisht këto kultura. Po. Ata nuk po e promovojnë “padashje” kulturën rome apo turke, por po e shpërfytyrojnë atë duke ia humbur veçantitë karakteristike.
Si u bë që ne jemi shumë patriotë kur vjen puna për nacionalizëm dhe patriotizëm, por e humbim atë kur vjen në pytje turbo folku? Aaah! Mbase muzika nuk po na e cënoka identitetin dhe integritetin territorial? Kjo është?
Apo mos ndoshta në fund të ditës ne nuk jemi fare ndryshe nga njëri-tjetri, jemi një qull i përzier antivlerash që po e mashtrojmë veten dhe botën? Se në fakt ne jemi popuj shumë kundërthënës deri në kufijt e logjikes? Dhe se ne shqiptarët i prijmë kësaj valleje të turpshme ballkanike?!
Apo mbase muzika s’paska të bëjë shumë me aspektet tjera të përditshmërisë së qytetarëve. Se nuk ka lidhje me politikën, me korrupsionin, me krizën e moralit, me papërgjegjësinë, me shërbimet e dobëta në administratë, në shëndetësi, me kulturën dhe sjelljen e qytetarëve. Jo?
Mos muzika na qenka e privilegjuara jonë? Me imunitet deputeti, që nuk guxon të arrestohet e ndëshkohet? Se ajo nuk bën të listohet në spektrin e përgjithshëm të zhvillimeve apo ngecjeve tona të 2 dekadave të fundit?
Se s’ka lidhje. Është YouTube të na promovojë, është Facebook, Myspace. Na mjafton t’i kapim t’i bëjmë ca instrumentale mediokër edhe lansojmë se po i han pazari?
Po mire. Pazari-populli po e “han” edhe korrupsionin e keqqeverisjen? A po na pëlqen kjo? Pazari-populli po e han edhe keqmenaxhimin e parasë publike? A po na pëlqen kjo?
Atëherë, nëse çdo gjë që na ofrohet e na “shitet” nuk qenka ajo që e meritojmë e e dojmë, pse ta duam apo pranojmë kulturën e muzikës së keqe. Meqë shumë gjëra që ndodhin në shoqërinë shqiptare në Ballkan nuk qenkan të shëndosha për mirëqeninen materiale, fizike e mendore të njerzve, si i bëhet puna me muzikën e keqe? Si i bëhet me muzikbërësit e këqinj? A janë ata më pak të rrezikshëm se kriminelët ordinerë? A duhet nisur paditë nga ana e institucioneve, deri në përndjekje ligjore, për rrezikim direkt të vlerave e pasurive të kultivuara kombëtare ndër shekuj? Për deformim të shijes publike, veçanërisht asaj të gjeneratave të reja. Për keqpërdorim të opusit kulturor të kulturave tjera, pa i njohur mirë ato. Për keqpërdorim të zhvillimeve teknologjike e siteve ndërkombëtare për t’i ikur filtrimit, editimit dhe redakturës profesionale.
Apo duhet dalur në protesta masive nën flamujt e VV-së që të rrëzojmë pushtetet bashkë me muzikbërësit mediokër?
Dikush thotë: në rregull, na duhet kapërdirë disi fakti që ekziston shtresa e muzikbërësve të rëndomtë, e një shtresë më periferike që s’i gjykon dot. Po si t’i bëhet me muzikbërësit e promovuar nëpër vite që bien pre e antivlerave, pre e injorancës së këngëtarëve pa edukatë e pa kulturë elementare muzikore e kombëtare?

BalkansBazaar në ditët në vijim do ju sjell disa nga “të paditurit” që më shumë se mirë, i kanë kanë bërë tepër keq kulturës muzikore shqiptare, duke e goditur pandreqshëm, marrë parasysh prezencën gjithnjë e më të madhe në eter të antivlerave absolute.
Absolute! … se ç’tingëlloi familjare kjo fjalë.

BalkansBazaar/2013

Leave a comment